Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, dhe Kryeshefin Ekzekutiv të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” sh.a., Faruk Mujka, nënshkruan marrëveshjen për shtrirjen e sistemit të ujitjes në fshatrat Pirq, Vërnicë dhe Vaganicë të Komunës së Mitrovicës. Marrëveshja parashikon ujitjen e rreth 500 hektarëve tokë bujqësore, duke synuar rritjen e prodhimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në këtë rajon.
Ministri në detyrë Muja theksoi se kjo marrëveshje do të mundësojë ujitjen e rreth 500 hektarëve tokë bujqësore, duke krijuar kushte më të mira për rritjen e prodhimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë.
Kryeministri Kurti deklaroi se: “Sot shënojmë një investim të rëndësishëm për Mitrovicën dhe për bujqësinë e saj. Përmes kësaj marrëveshjeje sigurojmë financimin e projektit të ujitjes për 500 hektarë tokë në fshatrat Pirq, Vërnicë dhe Vaganicë, e cila krijon kushte më të mira për prodhim bujqësor dhe zhvillim ekonomik në këtë pjesë të vendit tonë.”
Kryeshefi Ekzekutiv i NH “Ibër-Lepenc” sh.a., Faruk Mujka, theksoi se: “Është gëzim i madh për ne si Ibër-Lepenc që mund të jemi në shërbim të qytetarëve, Ministrisë, komunave dhe fermerëve — për t’u ofruar atë që është më e çmuara për një fermer: ujitje kualitative dhe të qëndrueshme.”
Ky investim do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit, përmirësimin e kushteve të punës dhe fuqizimin e sektorit bujqësor në Komunën e Mitrovicës. Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” sh.a. mbetet e përkushtuar në zgjerimin e infrastrukturës së ujitjes në zonat e shtrirjes së sistemit të saj.

