19 dhjetor, 2025 – Lidhur me shkrimet, pretendimet e pabazuara dhe dezinformatat e publikuara së fundmi në media në lidhje me konkursin për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të NPH “Ibër-Lepenc” Sh.A., e shohim të nevojshme të informojmë opinionin publik në mënyrë të saktë, të plotë dhe transparente mbi rrjedhën e këtij procesi.
Konkursi për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të NPH “Ibër-Lepenc” Sh.A. është shpallur nga NPH “Ibër-Lepenc” Sh.A. me datë 21.09.2022 në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi për ndërmarrjet publike dhe aktet e brendshme të ndërmarrjes, me afat aplikimi deri më 21.10.2022.
Në kuadër të këtij konkursi, nga gjithsej 27 kandidatë të futur në listën e ngushtë, 25 kandidatë janë paraqitur për intervistim.
Intervistat me kandidatët e listës së ngushtë janë mbajtur me datat 10, 11 dhe 14 nëntor 2022. Rezultatet e intervistimit janë publikuar me datë 24.11.2022, ku sipas vlerësimit dhe poentimit nga 6 anëtarët e panelit, kandidatët me më së shumti pikë vlerësimi kanë qenë:
- L.H. me 65 pikë;
- Faruk Mujka me 60 pikë;
- Xh.B. me 60 pikë;
- V.S. me 59 pikë; si dhe
- B.H. me 58 pikë.
Pas publikimit të rezultateteve, kandidati L.H. me numrin më të lartë të pikëve ka tërhequr aplikacionin e tij nga procesi i mëtejmë i përzgjedhjes.
Në këto rrethana, Bordi i Drejtorëve, me kompetencat e veta, me datë 01.12.2022, ka vlerësuar se të dy kandidatët janë të pëlqyeshëm. Megjithatë, z. Mujka u vlerësua se ka përprarësitë si në vijim: të qenit inxhinier i ndërtimtarisë me profesion, si dhe përvoja paraprake në rajonin e Mitrovicës, përkatësisht në pjesën veriore. Bordi ka vlerësuar që kjo është një përparësi për ndërmarrjen në menaxhimin e aseteve kryesore në Ujman ku situata e asokohe kishte potencial të shkaktonte pengesa në veprimtarinë e ndërmarrjes dhe më gjerë. Si rezultat, z. Mujka u votua në mënyrë unanime për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të NPH “Ibër-Lepenc” Sh.A.
Informojmë opinionin publik se i gjithë procesi i konkursit dhe përzgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv të NPH “Ibër-Lepenc” Sh.A. është zhvilluar në mënyrë të rregullt, transparente dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi. Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje në proces dhe Bordi i Drejtorëve ka vepruar në përputhje të plotë me kompetencat, detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara qartë dhe saktë me ligj.
Çdo pretendim apo publikim që synon të paraqesë të kundërtën është i pabazuar, dezinformues dhe nuk mbështetet në fakte.
NPH “Ibër-Lepenc” Sh.A. mbetet e përkushtuar ndaj informimit të drejtë dhe të paanshëm të publikut.