Më datë 30 Maj 2026, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, dhe Kryeshefi Ekzekutiv i NPH “Ibër-Lepenc” sh.a., Faruk Mujka, nënshkruan Marrëveshjen e Mirëkuptimit për financimin e projektit të ujitjes — shtrirja e gypit OD-630 mm, PN 16 bar.
Financimi i këtij projekti do të realizohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Me realizimin e tij do të mundësohet rehabilitimi dhe ujitja e rreth 900 hektareve tokë bujqësore, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e prodhimit vendor.
Nga ky investim do të përfitojnë drejtpërdrejt fermerët e Fushës së Bardhoshit, Lebanit, Trudës, Bardhoshës, Bernicës së Poshtme, Mazgitit, Llazarevës, Raskovës, Bakshit, Prugocit, Drenocit dhe një pjese të Barilevës — lokalitete që gjenden në komunat e Prishtinës dhe Obiliqit. Kryeshefi Ekzekutiv i NPH “Ibër-Lepenc” sh.a., z. Faruk Mujka, ka deklaruar se ndërmarrja është plotësisht e gatshme për ofrimin e shërbimeve cilësore në fushën e ujitjes së tokave bujqësore. Ai ka theksuar se ky projekt njëkohësisht shënon edhe hapin e parë në fillimin e ndërrimit të sistemit të ujitjes, duke kaluar nga tubacionet e vjetra të asbestit në ato moderne të polietilenit — një transformim që garanton siguri më të lartë, qëndrueshmëri afatgjate dhe efikasitet më të madh në shpërndarjen e ujit. Sipas tij, ndërmarrja disponon kapacitetet teknike dhe njerëzore të nevojshme për të siguruar furnizim të rregullt dhe efikas me ujë për ujitje, duke kontribuar kështu në modernizimin e infrastrukturës bujqësore, rritjen e produktivitetit dhe mirëqenien e fermerëve.



