Kthimi në shfrytëzim i pronës së ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” në veri të vendit

Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” njofton opinionin publik se më datë 20 maj 2025, me mbështetjen profesionale dhe institucionale të Policisë së Kosovës, dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës, ka realizuar rikthimin në shfrytëzim të një prone të saj në komunën e Zubin Potok, e cila për një periudhë të gjatë ishte jashtë kontrollit të ndërmarrjes.

Prona në fjalë, e regjistruar dhe dokumentuar si pronë e NPH “Ibër-Lepenc”, ishte uzurpuar pa asnjë bazë ligjore nga struktura paralele, duke pamundësuar funksionimin dhe menaxhimin e rregullt të pasurisë publike në atë zonë. Duke respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe në koordinim me institucionet përgjegjëse të sigurisë dhe rendit, zyrtarët tanë kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për rikthimin e kësaj prone në funksion të ndërmarrjes dhe në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

NPH “Ibër-Lepenc” mbetet e përkushtuar në realizimin e misionit të saj ligjor dhe institucional për administrimin efikas dhe transparent të aseteve publike, duke siguruar shfrytëzim të drejtë dhe të barabartë të resurseve ujore dhe infrastrukturës në funksion të ofrimit të shërbimeve cilësore për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim të përkatësisë etnike apo fetare.

Për çdo zhvillim të mëtejmë, ndërmarrja do të informojë publikun në kohë reale përmes kanaleve të saj zyrtare të komunikimit.

Me respekt,
Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” Sh.A
21 maj 2025

Post a comment

Your email address will not be published.