
Ministrja e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, ka vizituar nga afër punimet që po zhvillohen në projektin e rehabilitimit të kanalit të Ibër-Lepenc në Zubin Potok, një investim ky me rëndësi strategjike për sigurinë dhe funksionalitetin afatgjatë të kësaj infrastrukture jetike.
Në terren, ministren e pritën kryeshefi ekzekutiv i NPH “Ibër Lepenc” Sh.A, Faruk Mujka, së bashku me ekipin menaxherial të Ndërmarrjes, të cilët e shoqëruan gjatë inspektimit të punimeve.
Ky projekt, me vlerë mbi 13 milionë euro dhe i mbështetur nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Bankën Botërore, është afër përfundimit, pasi mbi 90% e punimeve janë realizuar.
Ministrja Rizvanolli theksoi se pas një kontrate problematike të trashëguar, ku vetëm 10% e punimeve ishin kryer për vite të tëra, progresi i bërë gjatë dy viteve të fundit është domethënës. Pas ndërprerjes së kontratës dhe rishpalljes së saj, projekti është duke u përfunduar dhe pritet të mbyllet në muajt në vijim. “Ky projekt forcon sigurinë e kanalit Ibër-Lepenc, një infrastrukturë kyçe për energjinë, bujqësinë dhe furnizimin me ujë për afro 500 mijë qytetarë në Kosovën qendrore. Ky kanal nuk është thjesht ujë, është burim jete dhe garanci sigurie për vendin tonë,” theksoi ministrja Rizvanolli.
Ministrja e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli po ashtu rikujtoi reagimin e shpejtë dhe profesional të ekipit pas sulmit terrorist më 29 nëntor 2024, i cili kishte dëmtuar rëndë infrastrukturën. “Reagimi i menjëhershëm i ekipit të projektit dhe i Korporatës Ibër Lepenc siguroi vazhdimësinë e furnizimit me ujë në një periudhë kritike,” deklaroi ministrja.
Kryeshefi Ekzekutiv, z. Faruk Mujka, falënderoi ministren e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e këtij projekti strategjik për sigurinë ujore dhe zhvillimin infrastrukturor të vendit.
Kryeshefi Ekzekutiv, z. Faruk Mujka, theksoi se punimet për mbulimin e kanalit në Zubin Potok po realizohen në marrëveshje me komunitetin lokal serb. “Segmenti që do të mbulohet ka një gjatësi prej 400 metrash dhe, pas përfundimit, do të vihet në shërbim të komunitetit për zhvillimin e aktiviteteve të tyre,” deklaroi ai.
Me respekt,
Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” Sh.A
01.08.2025





